Paolo Di Kanio është emëruar mbrëmë si trajneri i ri i skuadrës së Sandërlend në kampionatin anglez të futbollit, duke marrë drejtimin e ekipit që rrezikon rënien nga kategoria. Pas shkarkimit të Martin O’Nill, drejtuesit e klubit vlerësuan se Di Kanio ishte personi i duhur për të siguruar mbijetesën dhe për këtë arsye i kanë ofruar italianit një kontratë prej 2 vitesh e gjysmë.
Por gjërat nuk do të jenë shumë të thjeshta për trajnerin, i cili është ndeshur me kundërshtimin e tifozëve. Këta të fundit kanë sulmuar menjëherë trajnerin e ri nëpërmjet rrjeteve sociale, duke parashikuar rënien nga kategoria pasi nuk e cilësojnë Di Kanion si të aftë për të shpëtuar klubin në javët e mbetura.
Kaosi është shtuar edhe nga largimi nga bordi drejtues i Devid Miliband, i cili mbante detyrën e nënkryetarit dhe drejtorit të përgjithshëm të klubit. Ish-Sekretari i Jashtëm i Shtetit në Angli dha menjëherë dorëheqjen duke e cilësuar si të papranueshme bindjen politike të Di Kanios, i cili edhe më parë ka thënë se ka prirje fashiste.
“Duke parë situatën dhe deklaratat e fundit politike të trajnerit të ri, mendoj se është gjëja më e drejtë që unë të largohem nga detyra”, ishte deklarata e Miliband.
Ndërkohë, vetë Di Kanio nuk ka ngurruar të bëjë edhe komentin e parë për emërimin e tij nëpërmjet Twitter.
“Faleminderit të gjithëve për mesazhet. Mund të përfundojmë kampionatin në vendin e 11-të dhe Xhon O’Shi do të jetë kapiteni im”, ishte komenti i tij i parë si trajner i Sandërlend. (LajmeShqip.com)
Monday, 01 April 2013 10:21