Zhoze Murinjo shumë shpejt do të përballet me një problem relativisht shqetësues, atë të zgjedhjes së portierit titullar. Pas kthimit të Iker Kasijas nga dëmtimi, ky i fundit normalisht që pret të kthehet si titullar të madrilenët, por ndoshta kjo nuk është ideja që mbështet me shumë trajneri portugez.
Duke lënë pas zënkat mes të dyve, Murinjo i ka besuar verbërisht Diego Lopez që nga momenti kur ai u ble në janar dhe portieri ia ka shpërblyer me paraqitje të jashtëzakonshme, duke u bërë protagonist absolut në të gjitha fitoret e mëdha të muajve të fundit me pritjet e tij.
Për këtë arsye Kasijas nuk e ka më vendin të siguruar te Reali, duke parë se tashmë edhe tifozeria është disi e lëkundur. Sipas një sondazhi të zhvilluar dje nga gazeta sportive spanjolle “Marca”, tifozët janë të ndarë mbi emrin e atij që duhet të jetë titullar në ndeshjen e fundjavës kundër Real Saragozës, pasi 50.6% (9682 votues) mendojnë se Kasijas duhet të jetë titullar, ndërsa 49.4% (9468 votues) kanë zgjedhur Diego Lopez.
Një ekuilibër i tillë duket se dëmton Kasijas, pasi shihet qartë që kapiteni nuk vlerësohet më i paprekshëm dhe ndonjë “mrekulli” e radhës e Lopez në takimet e ardhshme mund ta kthejë në zëvendësues te Real Madrid edhe pse ai është kapiteni i Spanjës. (LajmeShqip.com)
Friday, 29 March 2013 10:13