Masimo Morati ka filluar të vërë në zbatim planin për të kthyer Zhoze Murinjon në drejtimin e Interit. Ndonëse presidenti i zikaltërve insiston se Andrea Stramaçioni është i blinduar në stolin e kësaj skuadre edhe për sezonet në vazhdim, “La Gazzetta Dello Sport” pretendon se ai ka zhvilluar një telefonatë të gjatë me trajnerin portugez gjatë ditëve të fundit.
Sipas gazetës së njohur sportive italiane, Morati ka komunikuar me Murinjon për të mësuar rreth situatës së tij te Reali, nëse në të vërtetë do të largohet nga spanjollët në fund të këtij sezoni, ndërsa i ka bërë të qartë portugezit se është i mirëpritur për një kthim në drejtimin e zikaltërve.
Ndonëse ditët e fundit Murinjo ka shprehur hapur dashurinë për Çelsin dhe nuk ka hedhur poshtë mundësinë e kthimit te anglezët, Morati është i bindur se mund ta bëjë atë të ndryshojë mendje, duke i premtuar atij suksese të tjera të skuadra italiane, ashtu si 3 vite më parë.
Ëndrrat e tifozëve zikaltër janë ndezur edhe nga deklarata e Bedi Morati, motra e presidentit të Interit, e cila ka lënë gjithçka hapur për kthimin e Murinjos.
“Njerëzit kanë të gjitha të drejtat të ëndërrojnë. Të gjithëve do të na pëlqente një kthim i tij, e ndonëse e dimë se është i vështirë, nuk i dihet asnjëherë se çfarë mund të ndodhë në jetë”, tha ajo. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 27 March 2013 14:13