Trajneri i Holandës, Luis Van Gal, i ka thurur elozhe Robin Van Persit, pasi sulmuesi shënoi dy gola në suksesin 4-0 ndaj Rumanisë. Dy golat e yllit të Mançester Junajtid bënë që ai të kalonte në renditjen e të gjitha kohëve shifrën e 33 golave të legjendës Johan Krujf përsa i përket realizimeve me fanellën e ekipit kombëtar.
“Van Persi ishte shumë i pafat në pjesën e parë të ndeshjes por në pjesën e dytë ai ishte mëse i lumtur pasi realizoi një gol të klasit botëror”, tha Van Gal për “Voetbal International”. “Ai bëri një gol me kokë që normalisht me zor do ta kishte goditur, por e dërgoi me qëllim në kënd të portës”.
“Por e gjitha skuadra luajti mirë. Van Der Vart shënoi në mënyrë të shkëlqyer me gjuajtjen e tij, Lens ishte i përfshirë në aksionet e dy golave. Nuk kam filluar të flas ende për organizimin e shkëlqyer të lojës mbrojtëse”, ishin elozhet e Van Gal për skuadrën e tij që kryeson grupin duke qenë skuadra e vetme që ka regjistruar vetëm fitore në këto eliminatore.
Si për ironi të fatit, protagonistët e ringjalljes së Holandës pas dështimin në Euro 2012 janë pikërisht lojtarët e vjetër që Van Gal dëshironte të largonte nga përfaqësuesja. Në fillim të edicionit, emra si Van Persi dhe Van Der Vart mendohej se mund të luanin një rol episodik dhe nuk kishin vendin të garantuar as në stol. Por ndeshje pas ndeshje, ata janë kthyer përsëri në liderët e kësaj përfaqësueseje duke e udhëhequr drejt vendit të parë në grup dhe me shumë siguri pjesëmarrjen në Botërorin 2014. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 27 March 2013 10:22