Mesfushori anglez Xhoi Barton, i cili aktualisht aktivizohet me Olimpik Marsejën dhe ka bërë bujë për polemikat e vazhdueshme dhe problemet që krijon jashtë fushe, ka përdorur Twitter për t’u tallur me Neimar. Sulmuesi brazilian vazhdon paraqitjet e tij nën nivel sa herë që luan kundër skuadrave evropiane dhe Barton nuk ka ngurruar ta thumbojë menjëherë atë që cilësohet një prej talenteve më të mëdhenj të futbollit botëror.
“Neimar është Xhastin Biber i futbollit. Shkëlqen në YouTube por vlen sa urina e maces në jetën reale”, ishte komenti i Barton në adresën e tij.
Ky është raundi i dytë i debatit të lindur mes dy futbollistëve pak kohë më parë, kur gjatë ndeshjes miqësore mes Anglisë dhe Brazilit, Barton e cilësoi Neimar si “të mbivlerësuar” nga të gjithë dhe që nuk meritonte kaq shumë vëmendje. Në atë periudhë, edhe Neimar zgjodhi ta injoronte anglezin.
“Kush është ky Xhoi Barton?”, ishte komenti i vetëm i brazilianit i cili preferoi që të mos reagonte as ndaj komentit tjetër polemik që kishte bërë mesfushori rreth asaj ndeshje. “Edhe brazilianët qenkan po aq të dhj… sa ne”, ishte mënyra se si Barton komentoi lojën e dy përfaqësueseve në atë sfidë. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 26 March 2013 08:57