Trajneri i Shakhtar Donetsk, Mirçea Luçesku, i ka dhënë fund të gjitha spekulimeve për të ardhmen e tij duke rinovuar për dy vite të tjera kontratën me klubin ukrainas.
“Kur folëm për kontratën e re, paratë nuk ishin asnjëherë problem”, tha pronari i Shakhtar, miliarderi Rinat Akhmetov, i cili vlerësohet si njeriu më i pasur në Ukrainë. “Ajo që më interesonte mua ishte vetëm një gjë: A arriti kjo skuadër maksimumin apo mund të bënim një tjetër hap para?”, ishte komenti i tij rreth rinovimit të kontratës dhe arsyes pse kishte insistuar që trajneri rumun të qëndronte përsëri në drejtim.
Luçesku ka qenë shumë i suksesshëm me Shakhtar Donetsk, klub të cilit iu bashkua në vitin 2004 dhe të cilin e ka udhëhequr në këtë periudhë drejt 6 titujve kampion në Ukrainë dhe Kupës UEFA në vitin 2009.
Këto suksese dhe sidomos loja e shkëlqyer që tregoi Shakhtar në këtë edicion të Ligës së Kampioneve, bënë që për trajnerin rumun të kishte interesim të jashtëzakonshëm nga klube të tjera. Fillimisht ishte Anzhi që e kërkonte për të zëvendësuar Gus Hidink, e më pas ishte Inter që u interesua për t’i dhënë drejtimin e skuadrës në sezonin e ardhshëm. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 26 March 2013 08:53