Kristiano Ronaldo ka vendosur që të mos dëgjojë këshillat e Real Madrid dhe të udhëtojë me kombëtaren e tij për ndeshjen e rëndësishme kundër Azerbajxhanit që Portugalia luan të martën, edhe pse nuk mund të aktivizohet për shkak pezullimi.
Klubi spanjoll ka shprehur pakënaqësinë për faktin se lojtari dëshiron të qëndrojë pranë shokëve të kombëtares dhe për këtë arsye ka udhëtuar 7100 kilometra edhe pse nuk mund të luajë. Por vetë Kristiano Ronaldo ka shpjeguar arsyet pse ka marrë këtë vendim, duke dalë kundër klubit që do të preferonte që ai të qëndronte pushim.
“Më trishton fakti që nuk mund të luaj por e gjithë bota e di që kombëtarja është shumë e rëndësishme për mua. Do të ishte shumë e thjeshtë t’i hipja avionit dhe të kthehesha në klubin tim, por më pëlqen të jem këtu me të tjerët dhe mendoj se mund të ndihmoj edhe pa luajtur”, tha Ronaldo para gazetarëve portugezë.
“Të jem këtu është e rëndësishme për kombëtaren, për shokët e mi dhe për mua gjithashtu. Më pëlqen që jam me ta me trup dhe me shpirt. Të martën, edhe pse jashtë fushës, do të jem një tifoz duke shpresuar që shokët e mi të bëjnë një punë sa më të mirë dhe të fitojmë, që është edhe objektivi ynë. Këtë radhë do t’i ndihmoj të gjithë nga jashtë fushës”, tha kapiteni i Portugalisë, që tashmë rrezikon edhe vendin e dytë në grup. (LajmeShqip.com)
Monday, 25 March 2013 15:54