Trajneri i Spanjës, Vicente Del Boske, ka bërë të qartë se objektivi është që skuadra e tij të marrë tri pikët ndaj Francës në ndeshjen që luhet të martën në Paris. Situata e spanjollëve në Grupin I është komplikuar pas barazimit 1-1 ndaj Finlandës pasi tashmë ata janë 2 pikë pas francezëve dhe rrezikojnë të përfundojnë në playoff.
“Do të shkojmë në Francë për të fituar. Na mbeten edhe katër ndeshje të tjera për të luajtur ndaj duhet të jemi optimistë. Të martën luhet një ndeshje shumë e rëndësishme kundër Francës, por pas saj ne do të luajmë edhe 3 ndeshje të tjera. Të shohim se si shkojnë gjërat në këtë ndeshje fillimisht”, ishte komenti i Del Boske, i cili dëshiron të evitojë barazimin e tretë radhazi në kualifikuese që praktikisht do të vuloste pjesëmarrjen në playoff të skuadrës së tij.
Duke pasur parasysh se një playoff në zonën e evropiane mund të përfshijë skuadra si Portugalia, Anglia e Suedia, që mund të përfundojnë të dytat në grupet respektive, Spanja rrezikon seriozisht të mos kualifikohet në Botërorin e radhës, ndonëse është mbajtësja e trofeut. (LajmeShqip.com)
Monday, 25 March 2013 10:30