Pele është gati të mahnitë përsëri botën. Por këtë radhë nuk bëhet fjalë për futbollistin legjendar të shekullit të kaluar, por djalit të tij, Xhoshua, i cili ka veshur për herë të parë fanellën e Santos.
Ishte vetë Pele që hodhi në Twitter një foto të djalit të tij 16-vjeçar në përgatitjet me ekipin e Santos para pjesëmarrjes në kampionatin U-17.
“Është një kënaqësi e madhe të kem djalin tim Xhoshua që vesh fanellën e Santos për Kampionatin U-17. Çfarë kënaqësie ta shohësh të luajë për klubin tim!”, ishte komenti i Pele në gjuhën portugeze.
Tani të gjithë presin të shohin nëse Xhoshua i afrohet ndopak babait të tij legjendar, i cili ka shënuar më shumë se 1 mijë gola me fanellën e Santos dhe njihet gjerësisht si futbollisti më i mirë i të gjitha kohëve.
Pele firmosi për Santos në moshën 15 vjeçare dhe u bë fituesi më i ri i Kupës së Botës në moshën 17 vjeçare. Kur ai shënoi golin e tij të 1000, me 19 nëntor 1969, me qindra tifozë pushtuan fushën e lojës për ta përshëndetur. Që atëherë, ajo ditë njihet në të gjithë Brazilin si “Dita e Pele”. (LajmeShqip.com)
Sunday, 24 March 2013 09:47