Trajneri i Atletiko Madrid, Diego Simeone, ka lënë të kuptohet se klubi që aktualisht është në vendin e tretë në kampionatin spanjoll, po mendon të bëjë një lëvizje në merkato për të kthyer Fernando Torres gjatë verës. Lojtari po kalon shumë probleme te Çelsi, por sipas trajnerit argjentinas, po të ishte në dorën e tij, do ta kthente menjëherë te klubi ku u bë i famshëm.
“Fernando Torres aktualisht po luan për një skuadër tjetër. Ne duhet të presim sa të mbarojë sezoni dhe të vendosim se cili nga lojtarët që janë në shitje mund të vijë këtu dhe të bëjë një punë të mirë për ne. Fernando e njeh historinë e këtij klubi, çfarë do të thotë të luash këtu dhe mua nuk më nevojitet të flas për aftësitë e tij. Ne ishim shokë skuadre nga viti 2003 në 2005 dhe e di mirë se sa i rëndësishëm mund të jetë ai”, shpjegoi Simeone.
Por trajneri argjentinas nuk ka treguar nëse një lëvizje për Torres do të konfirmonte largimin apo jo të Radamel Falkaos, ndërsa insistoi se nuk di çfarë do të ndodhë me sulmuesin në të ardhmen.
“Nuk jam Falkao dhe nuk jam menaxheri i tij. Unë jam trajneri dhe kam një respekt të jashtëzakonshëm për të, pasi më ka dhënë shumë që kur ishte te River Pleit dhe ka përsëritur të njëjtën gjë edhe këtu. Ai jep gjithmonë maksimumin dhe unë respektoj të gjithë lojtarët që e bëjnë një gjë të tillë. Por çdokush merr vetë vendimet për jetën e vet”, deklaroi Simeone. (LajmeShqip.com)
Saturday, 23 March 2013 18:21