US Open do të kthehet brenda 4 viteve të ardhshme në turneun e tenisit më të pasur në botë, pasi organizatorët kanë arritur një akord me shoqatën e tenistëve profesionistë për të rritur premiot e këtij turneu.
Prej muajsh, tenistët elitarë kërcënonin me bojkot nëse nuk ndryshohej pagesa ndaj tyre, duke parë fitimet kolosale që u siguron organizatorëve turneu amerikan. Me marrëveshjen e re, që në këtë edicion, shifra e totalit të premiove do të rritet në 33.6 milion dollarë, nga 25 milion dollarë që ishte në sezonin e fundit. Rritja progresive vazhdon deri në vitin 2017, kur do të arrihet shifra 50 milion dollarë.
Ndërkohë, në mbledhjen mes përfaqësuesve të tenistëve dhe organizatorëve të turneut, është diskutuar gjithashtu edhe për kalendarin e këtij aktiviteti, duke parë se shpesh ndeshjet finale janë shtyrë për të hënën, duke shkaktuar probleme në programimin e stërvitjeve. Ndaj u vendos që për dy vitet e ardhshme, finalja e turneut të meshkujve të zhvendoset të hënën, ndërsa nga viti 2015 do të kthehet përsëri të dielave. (LajmeShqip.com)
Friday, 22 March 2013 10:19