Bastian Shvajnshtajger është i lumtur që kombëtarja gjermane po krahasohet me atë spanjolle dhe ka deklaruar se tashmë ekipi që drejtohet nga Joakim Lëv është shumë pranë arritjes së perfeksionit maksimal. Sipas tij, Spanja përfaqëson elitën e futbollit botëror të viteve të fundit dhe do të ishte shumë i kënaqur nëse përsëriteshin të njëjtat suksese me të njëjtën mënyrë loje.
“Spanja ka një lloj perfeksioni në lojën e saj. Ata stërviten me një sistem të tillë prej 10 vitesh. Ne po punojmë shumë për të arritur të njëjtin nivel perfeksioni dhe besoj se jemi në rrugën e duhur. Për ne nuk përbën asnjë lloj problemi që krahasohemi me Spanjën. Ata kanë qenë skuadra më e mirë në qarkullim që nga viti 2008. Në fakt, është një nder i madh të krahasohemi me ata”, tha mesfushori.
Lojtari ka luajtur 97 ndeshje me fanellën e Gjermanisë dere tani, ndërsa pret me padurim që brenda këtij viti të arrijë shifrën 100.
“Sigurisht që e mendoj shpesh një gjë të tillë. Kjo është një arritje e veçantë për mua. Jam shumë krenar që luaj me Gjermaninë dhe shumë shpejt mund të arrij shifrën e 100 ndeshjeve”, deklaroi Shvajnshtajger. (LajmeShqip.com)
Thursday, 21 March 2013 13:07