Zhoze Murinjo, në intervistën e tij mjaft të veçantë për televizionin kombëtar portugez “RTP1” ka vazhduar serinë e gjatë të akuzave publike për të gjithë ata që e kanë kritikuar apo për ngjarje të cilat i vlerëson si të padrejta. Pas akuzës së FIFA kishte manipuluar votimin për çmimin “Trajneri i Vitit” në favor të Vicente Del Boske, në shënjestrën e trajnerit portugez ka përfunduar një tjetër trajner spanjoll, Rafael Benitez.
“Ai u mundua që të hiqte fotografitë e mia nga ambientet e Interit kur shkoi të kjo skuadër, por ata u kthye përsëri në vendin e tyre sapo ai u largua nga drejtimi i saj”, ishte akuza e Murinjos, i cili më pas ka kritikuar edhe ambientin në Spanjë.
“Fakti që jam portugez nuk ka të bëjë me asgjë në atë që kam fituar, këtu në Spanjë është e vështirë të jesh portugez. Mund të jesh trajneri më i mirë në botë në një moment të caktuar, por kjo nuk përbën sukses. Mua nuk më shqetëson asgjë, nuk bezdisem. Të fitoj nuk më çmend dhe të humb nuk më kalon në depresion. Asgjë nuk më motivon më shumë se motivimi që i bëj vetes”, tha trajneri portugez i Realit.
Murinjo më pas distancoi veten nga ish-ndihmësi i tij, Andre Vijas Boas, ndonëse pranoi se sukseset në karrierën e tij kishin nxitur që të rinj të tjerë në Portugali të ndiqnin me më shumë entuziazëm mundësinë që një ditë të bëheshin trajnerë.
“Unë nuk shoh asgjë nga vetja ime të Andre Vijas Boas. Ai ka shkuar në vende ku të tjerët nuk kanë shkuar. Por unë e ndjek me rregullsi karrierën e tij. Di gjithashtu se ekziston “efekti Zhoze Murinjo” te të rinjtë portugezë. Tani ka shumë të rinj që ëndërrojnë të bëhen trajnerë. 20 vite më parë, të rinjtë dëshironin të bëheshin lojtarë, jo trajnerë”, deklaroi tekniku i Real Madrid. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 20 March 2013 10:04