Antonio Konte ka qetësuar tifozët e Juventusit duke lënë të kuptohet se aktualisht as që nuk i shkon ndër mend që të largohet nga kjo skuadër dhe planifikon që të rrijë sa më gjatë në drejtimin e saj.
“Kur të përfundojë ky rrugëtim, atëherë do të lindë edhe dëshira për të parë veten në një kampionat të huaj, por uroj që ajo ditë të jetë sa më larg. Unë si Ferguson për Juventusin? Do të mundohem të qëndroj për të gjithë këtë periudhë që të arrij sa më shumë fitore dhe t’i afrohem një personazhi kaq të jashtëzakonshëm dhe legjendar si ai”, ishte premtimi i trajnerit italian.
Këto deklarata, Konte i ka bërë në një ceremoni në Katanzaro, ku ka marrë një çmim të dhënë për punën e tij si trajner i Juventusit, ndërsa është rrethuar me kuptimin e plotë të fjalës nga tifozët e Juventusit të pranishëm për të parë trajneri që i dha titullin kampion pas shumë viteve mungesë.
“Populli juventin nuk ka nevojë të më tregojë shfaqje afrimiteti pasi unë e di se sa të dhënë janë pas meje dhe pas skuadrës. Mund të them vetëm se për ne vazhdon të ekzistojë dëshira për fitore në Itali dhe të mbajmë gjallë ëndrrën e Ligës së Kampioneve, por duhet të jemi të qetë dhe sa më të përulur pasi kemi nisur një rrugëtim dhe duhet durim. Kemi nisur një rrugëtim pas shumë vitesh ku për arsye të ndryshme na është dashur të rindërtojmë gjithçka nga gërmadhat. Tani kemi ndërtuar diçka të rëndësishme për tani dhe për të ardhmen. Ekzistojnë bazat për të qenë protagonistë në Itali dhe jashtë saj”, deklaroi trajneri i bardhezinjve.
Ndonëse Konte ka preferuar të mos flasë për merkaton e klubit, mediat italiane raportojnë se bardhezinjtë kanë filluar kontaktet me Pere Guardiolën, menaxherin e Luis Suarez, duke kërkuar të njohin gatishmërinë e uruguaianit për t’u transferuar në Itali, para se të bëjnë një ofertë zyrtare te Liverpuli për blerjen e tij. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 20 March 2013 10:03