Lionel Mesi ka treguar disa detaje mjaft interesante nga jeta e tij në një intervistë të dhënë për “TyC Sports” në Argjentinë. Ai ka treguar se cili është opinioni i përgjithshëm rreth tij dhe Barcelonës, si dhe ka folur për faktin se tashmë e sheh veten si një njeri më të pjekur.
“Unë e di që ka shumë njerëz që shpresojnë që ne të humbasim dhe të mos fitojmë asgjë në këtë sezon, por mua nuk më shqetëson një gjë e tillë”, tha ai duke iu referuar atyre që bëjnë tifozllek për rivalët e Realit dhe janë mërzitur nga dominimi disavjeçar i katalanasve në futbollin spanjoll.
“Tani jam rritur, kam mësuar të dëgjoj gjithçka, çdo gjë edhe nga njerëzit që vetëm tani kanë filluar të flasin mirë për mua. Një herë Guardiola më zëvendësoi kundër Valencias dhe unë u inatosa me të edhe pse po fitonim 4-0. Ai ishte një budallallëk nga ana ime”, ka treguar Mesi.
Më pas, talenti argjentinas ka treguar se si rri me orë të tëra “online” duke luajtur futboll në Play Station kundër të panjohurve, që nuk e dinë se po duelojnë me futbollistin më të mirë në botë.
“Luaj Play Station online, kundër njerëzve nga vende të ndryshme të botës që nuk e dinë se kush jam unë. Shpesh inatosen me mua në ndeshjet e futbollit kundër tyre, pasi unë kthej topin mbrapa për të humbur kohë”, deklaroi argjentinasi që më pas rreshtoi listën e disa prej sportistëve të tij të preferuar. “Kobi Brajant, Nadal, Federer… Janë të gjithë përbindësha”. (LajmeShqip.com)
Saturday, 16 March 2013 10:56