Arsen Venger ka vendosur që të mos falë asnjë lojtar që e ka zhgënjyer në këtë sezon dhe për këtë arsye, gjatë merkatos së verës, klubit pritet t’i japin lamtumirën portierin polak Vojçieç Szczesni dhe mbrojtësi belg Tomas Vermaelen, ndonëse ky i fundit mban shiritin e kapitenit te kjo skuadër.
Venger tregoi qartësisht se nuk beson më te portieri i tij titullar kur deklaroi se e kishte lënë jashtë ndeshjes me Bajern Mynih pasi kishte dyshime mbi “gjendjen psikike” të lojtarit. Por mediat angleze bëjnë të ditur se trajneri francez është shumë i zhgënjyer nga paraqitjet e portierit dhe këtë ia ka shpjeguar edhe vetë futbollistit. Për më tepër, edhe lojtarët e tjerë të skuadrës nuk pëlqejnë sjelljen e Szczesni, duke e akuzuar këtë të fundit për mendjemadhësi të tepruar. Sipas “Daily Mail”, një portier do të jetë prioriteti i merkatos së klubit londinez, ndërsa ndiqen me vëmendje Asmir Begoviç i Stouk, Simon Minjolet i Sandërlend dhe Pepe Reina i Liverpulit.
E njëjta bisedë mund të bëhet edhe për Vermalen, edhe ai në stolin e rezervave ndaj Bajern pas një serie paraqitjesh shumë të dobëta që kanë acaruar marrëdhënien e tij me trajnerin Venger. Ky i fundit ka vendosur ta lërë jashtë formacionit qendërmbrojtësin, edhe për faktin se Lorent Koshçielni po shkëlqen në këto ndeshjet e fundit dhe i ka dhënë më tepër siguri prapavijës së “topçinjve”. Megjithatë, për Vermalen ekziston një interesim nga Barcelona që e sheh si një alternativë për prapavijën e skuadrës. (LajmeShqip.com)
Friday, 15 March 2013 09:11