Masimo Morati i ka mbyllur rrugën një kthimi të mundshëm të Zhoze Murinjos në stolin e Interit, ku për momentin Andrea Stramaçioni duket i paprekshëm, edhe pse në media qarkullojnë hipoteza të ndryshme për emrin e një zëvendësuesi.
“Unë nuk kam pasur kontakte me askënd, as nuk kam telefonuar njeri, as më kanë telefonuar dhe as nuk kam ndër mend ta bëj një gjë të tillë. A mund të kthehet Murinjo? Jo, është e pamundur”, ishte përgjigja e tij e prerë, ndërsa i ka dhënë përsëri besimin trajnerit Stramaçioni.
“Futbolli është bërë nga intuita të sekondës së fundit. Mendoj se trajneri thjesht ka nevojë për pak më shumë fat. Ta nisësh çdo ndeshje keq nuk është se ndihmon”, shtoi ai.
Pas përfundimit të ndeshjes me Totenhemin, Morati ka lëshuar elozhe në adresë të lojtarëve të tij, në një nga paraqitjet e rralla të këtij sezoni ku zikaltërit kanë qenë me të vërtetë mbresëlënës, edhe pse u eliminuan nga Europa League.
“Kjo ishte ndeshja perfekte, pasi lojtarët bënë atë që shtypi nuk besonte se mund të ndodhte. Jemi krenarë për ndeshjen që kemi zhvilluar. Na vjen keq për kohët shtesë por gjithsesi është një ndeshje që na jep më shumë besim për të ardhmen”, tha ai. (LajmeShqip.com)
Friday, 15 March 2013 09:09