Tetë skuadrat çerekfinaliste të Ligës së Kampioneve do të njihen sot në drekë me kundërshtarët në këtë fazë të turneut më të rëndësishëm për klube në kontinent. Duke parë emrat e përfshirë, duket se edhe ky tur do të përfshijë një përballje mes skuadrave të mëdha, ndërsa në provat e shortit të hedhur mbrëmë, goglat kanë vënë kundër njëra-tjetrës skuadrat e Juventusit dhe Barcelonës.
Në shortin e simuluar si provë e përgjithshme e ceremonisë së sotme, sfida mes kampionëve të Italisë dhe gjigandëve katalanas ka qenë ajo që ka spikatur, ndonëse nuk duhet lënë pas edhe ajo mes Real Madrid dhe Borusia Dortmund, dy skuadra që janë ndeshur me njëra-tjetrën në fazën në grupe të turneut me ekipin gjerman që shkëlqeu përballë spanjollëve.
Dy përballjet e tjera të dalë nga prova e shortit janë PSZH-Gallatasaraj, siç e kishte parashikuar Didier Drogba, si dhe Bajern Mynih-Malaga. Kuptohet që kjo ishte vetëm një provë e shortit dhe probabiliteti që skuadrat të vihen kundër njëra-tjetrës në të njëjtin rend është shumë i vogël.
Por ky edicion i Ligës së Kampioneve ka një precedent me provën e shortit, pasi në turin e mëparshëm të aktivitetit, të 8 çiftet që u shfaqën në provë, u përsëritën më pas edhe gjatë shortit zyrtar, duke bërë që të lindin edhe “teori konspiracioni” pasi u vunë përballë disa nga ekipet e mëdha të kontinenti. (LajmeShqip.com)
Friday, 15 March 2013 09:04