Merkatoja e verës në kampionatin italian do të rrotullohet rreth emrit të një trajneri, Masimiliano Alegrit, i cili tashmë duket se është i ndarë mes Milanit dhe Romës. Ndërsa kuqezinjtë shprehen të sigurt se ai do të qëndrojë edhe vitin e ardhshëm, me synimin për t’i zgjatur kontratën, kryeqytetasit kanë filluar bisedimin me të për transferimin në Romë.
Sipas “Il Messaggero”, gjatë javës së kaluar ka pasur një takim mes Alegrit dhe drejtorit sportiv të Romës, Franko Baldini, ku është diskutuar jo vetëm mbi mundësinë e kalimit në drejtimin e kësaj skuadre, por është diskutuar në detaj edhe mbi stafin e mundshëm që do të ketë në këtë skuadër. Përzgjedhja e drejtuesve të Romës është bërë pasi është parë se Alegri ka arritur të ngjitë përsëri Milanin në majat më të larta të kampionatit italian edhe me një ekip të improvizuar, me shumë të rinj dhe krejtësisht ndryshe nga ai që kishte planifikuar në fillimin e sezonit.
Nga ana tjetër, mbetet për t’u zgjidhur situata te Milani, ku Adriano Galiani nuk dëshiron që ta lërë të largohet pasi beson se ai është personi i duhur që mund të nisë një tjetër cikël fitues. Por administratori i kuqezinjve duhet të bindë edhe Berluskonin, të cilit Alegri nuk i ka pëlqyer kurrë dhe po mendon seriozisht që ta lërë të largohet, pasi ëndërron të sjellë në drejtimin e skuadrës një ish-lojtar, të përzgjedhur mes tre emrave: Donadoni, Van Basten dhe Inzagi. (LajmeShqip.com)
Thursday, 14 March 2013 14:42