Zlatan Ibrahimoviç nuk tërhiqet kur bëhet fjalë për polemika dhe nuk ngurron ta bëjë një gjë të tillë edhe kur bëhet fjalë për t’iu kundërvënë tifozëve të skuadrës së vet. Sulmuesi suedez i PSZH, ka kritikuar tifozët e kësaj skuadre, për vërshëllimat që ata kanë lëshuar në adresë të lojtarëve gjatë ndeshjeve të fundit, sidomos në takimin e fituar 2-1 ndaj Nansi, falë golave të Ibrahimoviç.
“Kërkojnë shumë, por është e çuditshme, sidomos po të bëhen krahasime me atë që kishin në të kaluarën. Jo për gjë, por më parë nuk është se kishin shumë”, ishte batuta ironike e suedezit që ka bërë të lindin përsëri dyshime për të ardhmen e tij në radhët e kësaj skuadre.
“A është mërzitur që tani Ibrahimoviç?” ishte titulli i vendosur sot nga gazeta “Le Parisien” e cila në fakt i ka dalë në mbrojtje skuadrës e cila kryeson me 4 pikë kampionatin francez, vazhdon të jetë në Kupën e Francës si dhe në Ligën e Kampioneve. Por edhe kjo gazetë ka pranuar se golashënuesi më i mirë i kampionatit francez ka filluar të tregojë shenja lodhje, sidomos duke parë se shumë gjëra janë vendosur mbi shpatullat e tij dhe nga suedezi kërkohet gjithmonë të jetë në maksimum. (LajmeShqip.com)
Monday, 11 March 2013 18:06