Bajern Mynih është përfshirë në kaos përsa i përket çështjes së Jup Heinkes dhe një roli të mundshëm që bavarezët duan t’i rezervojnë atij në klub në sezonin e ardhshëm, kur t’i lëshojë vendin Pep Guardiolës në stolin e skuadrës.
Shefi ekzekutiv i Bajern, Karl Hainz Rumenige tha për gazetën e Mynihut, “Abendzeitung”, se klubi do t’i ofronte Henkes një rol të ri në sezonin ardhshëm.
“Ai është një nga trajnerët më të mirë në Evropë. Ne i kemi ofruar atij mundësinë për të vazhduar te Bajerni”, ishin fjalët e Rumenige të publikuara në këtë gazetë.
Por Heinkes nga ana e tij dha një “jo” të prerë ndërsa po intervistohej para ndeshjes me Fortuna Dyseldorf dhe u pyet rreth kësaj çështje.
“Kjo është një surprizë për mua. Kjo është hera e parë që e dëgjoj një gjë të tillë dhe nuk është aspak korrekte kjo sjellje”, ishte shpërthimi i trajnerit të bavarezëve ndaj klubit të cilin ai e ka kritikuar vazhdimisht se ka bërë publik vendimin për Guardiolën shumë herët, duke i vështirësuar punën atij.
Megjithatë, Heinkes vazhdon të udhëheqë skuadrën drejt një sezoni historik, ndërsa ka arritur të çojë në 20 pikë diferencën me ndjekësin më të afërt në Bundesligë, ka arritur gjysmëfinalet e Kupës së Gjermanisë dhe është në pozicion shumë të favorshëm për çerekfinalet e Ligës së Kampioneve pasi ka mundur 3-1 Arsenalin në fushën e anglezëve në ndeshjen e parë. (LajmeShqip.com)
Sunday, 10 March 2013 12:21