Trajneri i PSZH, Karlo Ançeloti, mendon se mbërritja e mundshme e Diego Maradonës në kampionatin francez de të ishte diçka e mirë për këtë kampionat. Duke folur para ndeshjes së skuadrës së tij ndaj Nicës, Ançeloti ka mirëpritur sugjerimet se ish-kampioni i botës me Argjentinën në vitin 1986 do të ulet në bankinën e Montpelje në sezonin e ardhshëm.
“Mbërritja e Maradonës këtu do të ishte vetëm diçka pozitive për kampionatin francez. Çfarë mund të them për të? Si lojtar kam luajtur kundër tij dhe ai shumë shpesh ka fituar kundër meje”, ishte komenti i Ançelotit, që ishte rival i Maradonës në periudhën kur argjentinasi luante me Napolin dhe trajneri aktual i PSZH luante me fanellën e Milanit.
Ndonëse komenti i presidentit të Monpelje për afrimin e Maradonës në kreun e ekipit në sezonin e ardhshëm ishte disi ironik, duket se ai po mendon seriozisht ta bëjë realitet një gjë të tillë. Trajneri Rene Zhirard ka lajmëruar se do të largohet në fund të këtij sezoni e për këtë arsye, Montpelje është në kërkim të një trajneri të ri, ndonëse duket e vështirë që Maradona të pranojë të drejtojë në kampionatin francez ku nuk ekzistojnë rrogat e larta me të cilat është mësuar ai. (LajmeShqip.com)
Saturday, 09 March 2013 11:30