“Nuk di të them nëse tani shpejt apo më vonë, por një ditë, Neimar do të luajë për Barcelonën”. Ky është pohimi i Murisi Ramajho, trajnerit të Santos i cili e njeh mirë sulmuesin dhe ka qenë një nga personat që ka meritën më të madhe për shpërthimin e tij të jashtëzakonshëm.
“Nëse ikën në Evropë, atëherë duhet të luajë medoemos te Barcelona, pasi ata kanë një stil lojë të ngjashëm me tonin. Neimar ka kontratë me ne deri në vitin 2014 dhe personat që merren me menaxhimin e tij thonë se do të qëndrojë këtu deri atëherë. Por më pas, mendoj se ai do të shkojë te Barcelona”, deklaroi Ramajho.
“Për më tepër, në historinë e Barcelonës ka pasur gjithmonë lojtarë të mëdhenj brazilianë ndaj mendoj se Neimar do të jetë një prej tyre, ashtu siç ishin Ronaldo, Romario e Rivaldo. Ta shohim të luajë përkrah Mesit do të jetë një gjë e mirë por futbollin botëror, pasi të dy bëjnë gjëra që njerëzit e tjerë nuk i bëjnë dot”, përfundoi ai.
Por vetë futbollisti ka deklaruar për mediat braziliane se ai vetë nuk ka asnjë preferencë dhe kjo do të thotë se mund të përfundojë edhe te Real Madrid nëse vendos të largohet nga Brazili.
“Transferimi në Evropë është një ëndërr për mua dhe vazhdon të jetë i tillë. Por nuk kam asnjë preferencë për të zgjedhur mes Barcelonës dhe Real Madrid nëse do të më jepet mundësia. Janë dy klube të mëdha, të respektuar nga të gjithë dhe secili prej tyre ka një histori të jashtëzakonshme, ka lojtarë të shkëlqyer”, ishin fjalët e futbollistit brazilian. (LajmeShqip.com)
Friday, 08 March 2013 09:55