Juventusi është kualifikuar në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve pasi ka kaluar pa vështirësi Sëlltikun, duke fituar edhe ndeshjen e dytë më rezultatin 2-0, pasi kishte arritur një sukses 3-0 në takimin e parë të luajtur në Skoci.
Ndonëse trajneri Antonio Konte kishte përdorur një rotacion të ndjeshëm të lojtarëve, italianët kanë treguar përsëri se ishin shumë më superiorë se skocezët, siç e provon fakti se kanë shënuar me gjuajtjen e parë në portën në minutën e 24-të të takimit, me anë të Alesandro Matri.
Më pas, ata janë tërhequr disi dhe kanë administruar qetësisht avantazhin, duke parë se Sëlltik e kishte të vështirë të krijonte shumë raste të rrezikshme. Më pas, në pjesën e dytë, falë një kombinimi perfekt Pirlo-Vidal, topi përfundon te Kualjarela që nuk e ka të vështirë të gjejë rrugën e rrjetës me portën e boshatisur kur shënohet minuta e 68-të. Ky gol praktikisht mbyll sfidën, pasi dy skuadrat thjesht shtynë minutat e mbetura të kësaj ndeshje ku kualifikimi i Juventusit nuk u vu asnjëherë në dyshim. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 06 March 2013 23:09