Deklaratat e Masimo Moratit se është në kërkim të ortakëve për të ndarë aksionet e Interit, i kanë paraprirë lajmit se klubi zikaltër është në vështirësi të mëdha ekonomike. Pas publikimit të bilancit të fundit vjetor është mësuar se zikaltërit kanë regjistruar një humbej prej 60 milion eurosh, që vijnë kryesisht nga mospjesëmarrja në Ligën e Kampioneve në këtë sezon.
Edhe pse klubi largoi disa nga lojtarët që rëndonin më shumë në arkat e zikaltërve me rroga shumë të larta si Lucio, Maikon, Hulio Cesar e Shnajder, përsëri pasivi mbetet shumë i madh. Shkak bëhen 20-30 milion eurot më shumë që siguron Liga e Kampioneve si dhe merkato e ngutshme që u bë në janar me blerje të shumta në ditët e fundit.
Një situatë e tillë nuk favorizon klubin që sipas mediave italiane, nuk do të përballojë dot një tjetër sezon pa Ligën e Kampioneve dhe për këtë arsye, Morati i ka bërë të qartë skuadrës së duhet të mendojë vetëm si të sigurojë vendin e tretë në kampionat, duke harruar çdo gjë tjetër. Kjo është arsyeja kryesore pse nuk është ndëshkuar Antonio Kasano pas zënkës me Stramaçionin, pasi zikaltërit shpresojnë që ai t’i ndihmojë në arritjen e këtij objektivi. Nëse Interi nuk përfundon në tre vendet e para, Kasano do të jetë nga emrat e parë që do t’i japë lamtumirën këtij klubi, bashkë me shumë emra të tjerë të njohur, rrogat e të cilëve do të jenë të pamundura për t’u përballuar nga zikaltërit. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 06 March 2013 18:47