Suksesi i Antonio Kontes me Juventusin ka tërhequr vëmendjen e klubeve të tjera të cilat janë gati të bëjnë oferta të parefuzueshme për teknikun italian, nëse ky i fundit vendos të largohet nga Italia gjatë verës.
Fitorja e një tjetër titulli në Itali me Juventusin do të shihej si mbyllja e një cikli nga vetë trajneri që shpreson që të ketë një fushatë të suksesshme edhe në Ligën e Kampioneve para se të zgjedhë një aventurë jashtë Italisë. Konte e ka shprehur shpesh admirimin e tij për kampionatet e tjera dhe se do të dëshironte të provonte një gjë të tillë, ndaj mediat angleze bëjnë të ditura se këtij interesimi i është përgjigjur edhe ai i klubeve të rëndësishme ndaj tij.
Sipas “Daily Star”, në garë për trajnerin e Juventusit ka hyrë Çelsi, që sheh te ai një pasardhës të denjë të metodave të punës së Zhoze Murinjos. Pikërisht ngjashmëria me mënyrën se si arrin të miqësohet me lojtarët dhe të marrë maksimumin prej tyre, ka shtyrë klubin londinez të marrë në konsideratë kandidaturën e Konte pas largimit të Benitez.
Por një gjë e tillë nuk do të jetë e thjeshtë, pasi me sa duket, në garë ka hyrë edhe Real Madrid. Madrilenët janë të interesuar më shumë për faktin se Konte ka dal nga stereotipi i zakonshëm i trajnerëve italianë, duke preferuar më shumë sulmin se mbrojtjen, ndaj po e shohin atë si alternativë të vlefshme kur Zhoze Murinjo t’i japë lamtumirën klubit spanjoll. (LajmeShqip.com)
Monday, 04 March 2013 15:04