LeBron Xhejms, ndonëse është një nga lojtarët më spektakolarë në NBA, ka refuzuar gjithmonë të marrë pjesë në konkursin e zhytjeve që zhvillohet zakonisht para “All Star Game”. Por lojtari ka hedhur poshtë të gjitha dyshimet se nuk mund të bëjë kosha spektakolarë, pasi gjatë javëve të fundit, në nxemjet para ndeshjeve të skuadrës së Majemit, ka realizuar disa kosha të pabesueshëm.
Pasi pamjet e stërvitjeve të tij kanë bërë xhiron e internetit, legjenda e basketbollit amerikan, Mexhik Xhonson, i ka bërë Xhejms një ofertë mjaft interesante.
“Të lutem LeBron, merr pjesë herën tjetër në konkursin e zhytjeve. Jam gati të paguaj 1 milion dollarë. Do t’i jap 1 milion dollarë LeBron. Të lutem, merr pjesë në garën e zhytjeve. Unë shkoj atje çdo vit dhe gjithmonë shpresoj të të shoh aty. Herën tjetër, fituesi do të marrë 1 milion dollarë nga unë”, ishte apeli publik i Mexhik Xhonson, i bërë gjatë një emisioni në “ESPN.
NBA aktualisht paguan me 100 mijë dollarë fituesin e kësaj gare, ndërsa 50 mijë dollarë i shkojnë vendit të dytë. Disa nga emrat e famshëm që në të kaluarën kanë marrë pjesë dhe kanë fituar këtë garë janë Dominik Uilkins, Majkëll Xhordan, Kobi Brajant, Vins Karter, Xhosh Smith, Duajt Hauard apo Bleik Grifin. (LajmeShqip.com)
Sunday, 03 March 2013 11:36