Mançester Siti do të përballet me një konkurrencë të ashpër për të siguruar shërbimet e sulmuesit Edinson Kavani, pasi edhe Real Madrid duket se është përfshirë në garën për sulmuesin e Napolit.
Uruguaiani mendohej se ishte alternativa e parë për Roberto Mançinin në sezonin e ardhshëm, arsye për të cilën trajneri italian kishte pranuar shitjen e Balotelit te Milani dhe do të nxjerrë në shitje Edin Xheko gjatë verës.
Por me sa duket, kjo tentativë e klubit anglez do të hasë në vështirësi të mëdha, pasi Real Madrid ka bërë hapa konkretë para për të bindur përfaqësuesit e lojtarit të pranojnë transferimin e tij në Madrid në sezonin e ardhshëm.
Klauzola e largimit të lojtarit nga Napoli është 65 milion euro, me klubin italian që ka bërë të qartë se nuk ka ndërmend të bëjë ulje për këdo që interesohet për të. Nëse Mançester Siti dhe Real Madrid nuk do të vendosin të paguajnë këtë shumë, nga situata do të përfitojë PSZH, që pret me qetësi hapjen e merkatos për të bërë ofertën zyrtare për transferimin e lojtarit, pasi është në gjendje të paguajë çfarëdo shifre për futbollistët që dëshiron të blejë. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 27 February 2013 17:48