Trajneri i Çelsit, Rafael Benitez, ka pranuar se situata për skuadrën e tij nuk është ndër më të mirat dhe do të duhet që londinezët të luftojnë deri në minutën e fundit të këtij sezoni për të siguruar pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve. Spanjolli shpresonte që një fitore ndaj Mançester Sitit mund t’i kthente në garë për vendin e dytë, por në fakt ka ndodhur e kundërta, pasi suksesi i kampionëve në fuqi të Anglisë i ka larguar ata nga ky pozicion, ndërsa tashmë edhe vendi i tretë rrezikohet nga Totenhem dhe Arsenal.
“E kam thënë para ndeshjes që nëse fitojmë, do të vazhdojë të jetë një luftë deri në fund. Edhe humbja është e njëjta situatë. Ne do të na duhet të vazhdojmë të luftojmë deri në fund”, tha trajneri spanjoll.
Në mënyrë indirekte, përgjegjësitë e humbjes 2-0 ai i ka hedhur mbi Frenk Lampard që humbi një penallti në minutën e 52-të të takimit, kur rezultati ishte 0-0.
“Penalltia është një moment vendimtar. Ne nuk u paraqitëm aq mirë sa shpresonim por penalltia mund të kishte ndryshuar plotësisht gjërat. Ishte një gjuajtje e mirë por edhe një pritje e mirë. Vetëm 10 minuta më vonë ata na shënuan. Në ato momente na u desh të rrezikonim më shumë dhe na ndëshkuan përsëri, pasi janë një skuadër e mirë”, pranoi Benitez. (LajmeShqip.com)
Monday, 25 February 2013 10:44