Fitorja 2-1 ndaj Deportivo La Korunjës nuk ka lënë një shije të mirë në radhët e Real Madrid, pas kartonit të kuq të marrë nga Angel Di Maria në minutën e 90-të të ndeshjes, për më tepër në një mënyrë absurde. Lojtari nuk u pozicionua në distancën e duhur në murin mbrojtës gjatë një goditje standarde të kundërshtarëve dhe mori dy kartonë të verdhë brenda pak sekondash, duke dala para kohe nga fusha e lojës.
“Di Maria nuk e meritonte të largohej me karton të kuq. Nuk kam folur me të rreth kësaj çështje, por seriozisht që do të jetë një lajm i bujshëm dita kur Real Madrid ta mbyllë takimin me 11 lojtarë”, tha zëvendësi i Murinjos që tash shfaqet rregullisht në konferencat për shtyp.
E veçanta e kësaj ndeshje është edhe aktivizimi si titullar i Rikardo Kaka, e për më tepër kontributi i tij, pasi braziliani shfaqi një formë të mirë dhe arriti të shënonte një prej dy golave të madrilenëve.
“Unë po përmirësohem dhe mendoj se gjërat në përgjithësi po përmirësohen. Jam i lumtur që po ndihmoj skuadrën. Në futboll, gjërat ndryshojnë shumë shpejt. Jam shumë më mirë dhe tani vjen pjesa më interesante e sezonit. Nëse trajneri ka nevojë për mua, unë jam gati”, ishin fjalët e brazilianit që po mundohet të rifitojë vendin në skuadër, ndonëse në janar kërkoi me ngulm largimin nga madrilenët. (LajmeShqip.com)
Sunday, 24 February 2013 11:45