Fabio Kapelo është gati të kthehet në Angli, pas përfundimit të eksperiencës së tij në Rusi, ku duket se ka pasur mjaft vështirësi të përshtatet me jetën atje.
“Kampionati anglez është absolutisht tërheqës, do të isha gati dhe do të isha shumë i lumtur nëse do të merresha në konsideratë për një vend punë në këtë kampionat. Si unë, ashtu edhe bashkëshortja ime jemi kënaqur gjatë qëndrimit në Angli dhe ajo që më mungon nga futbolli këtu janë sidomos stadiumet e mbushura, pasi në Rusi janë gjysmë të boshatisura”, shpjegoi Kapelo.
“Unë jam mësuar me vëmendjen e shtypit në Itali e Spanjë ndaj ia dal mbanë me shtypin atje. Rusia është e shkëlqyer pasi askush nuk i lexon gazetat. Problemi më i madh mbetet gjuha ruse. Nuk është e vështirë gjatë stërvitjeve, por është shumë e vështirë të përçoj emocionet e mia dhe motivimin ndaj skuadrës kur flas nëpërmjet një përkthyesi. Para një ndeshje, i tregoj lojtarëve video dhe pikat kryesore që të kuptojnë atë që dua të them. Por këto gjëra shkruhen nga e para dhe përkthehen, pasi gjuha ruse ka një tjetër lloj alfabeti. Shpesh përkthyesi përçon saktësisht konceptin, por jo ndjesinë që unë dua t’i kaloj lojtarëve”, tha Kapelo për vështirësinë e tij kryesore në drejtimin e kombëtares ruse.
Ndërkohë, problemi tjetër i tij është numri i vogël i futbollistëve cilësorë nga të cilët detyrohet të zgjedhë ata që luajnë në ekipin kombëtar, për shkak të influksit të madh të lojtarëve të huaj në kampionatin rus.
“Unë ankohesha se në kampionatin anglez janë vendas vetëm 38% e lojtarëve, por situata në Rusi është shumë më e keqe. Për më tepër, klubet që arrijnë të tërheqin lojtarët e njohur falë investimeve të mëdha, luajnë të gjitha në skajet më të largëta të Rusisë, ndaj unë jam i detyruar të udhëtoj shumë”, shpjegoi Kapelo arsyen se pse eksperienca e tij në Rusi nuk po shfaqet aq e mirë sa e kishte parashikuar. (LajmeShqip.com)
Saturday, 23 February 2013 12:01