Sulmuesi i Mançester Junajtid, Uejn Runi, mendon se Lionel Mesi është futbollisti më i mirë në botë, duke e renditur edhe para ish-shokut të skuadrës, Kristiano Ronaldo.
“Ata janë dy lojtarë krejtësisht të ndryshëm. Por mendoj se Mesi është i pabesueshëm. Mendoj se ai është më i miri i të gjitha kohëve ndaj personalisht zgjedh Mesin”, tha sulmuesi. “Por Ronaldo ka qenë pak pa fat, pasi në çdo periudhë tjetër ai do të kishte fituar të gjithë trofetë që ka tani Mesi. Por dua të them se të dy janë mes lojtarëve më të mirë të historisë së futbollit”.
Portugezi dhe argjentinasi janë dy makineri golash dhe këtë e kanë treguar me statistikat e pabesueshme që kanë regjistruar në këto vite. Ronaldo ka shënuar 183 gola në 181 ndeshje me fanellën e Real Madrid, ndërsa Mesi ka realizuar 301 gola në 366 ndeshje me Barcelonën.
Por në kundërshtim me Runin, shokët e tijtë skuadrës, Tom Kleverli dhe Xhoni Evans mendojnë se portugezi është një futbollist më i mirë.
“Unë nuk kam luajtur kurrë përkrah Ronaldos. Jam dakord se ata janë dy lojtarë të ndryshëm, por unë do të preferoja Ronaldon”, tha mesfushori i Mançester Junajtid.
“Është e vështirë të bësh krahasime pasi ne nuk kemi pasur rastin të shohim Mesin nga afër çdo ditë siç ka ndodhur me Ronaldon. Isha pjesë e ekipit të parë në sezonin e fundit kur Ronaldo ishte këtu dhe e kuptoj cilësinë që ka, ndonëse është e vështirë të zgjedhësh mes këtyre dy lojtarëve. Por thjesht për faktin se e kam parë Ronaldon çdo ditë dhe përkushtimin që shfaqte, po zgjedh atë”, shpjegoi mbrojtësi. (LajmeShqip.com)
Saturday, 23 February 2013 09:22