Tibo Kurtua pretendon se Çelsi do ta kthejë në skuadër brenda dy viteve të ardhshme për të zëvendësuar Petr Çeh. Portieri belg u transferua në radhët e anglezëve që në vitin 2011, por u dha huazim te Atletiko Madrid që mbeti pa portier pas largimit të De Gea drejt Mançester Junajtid.
20 vjeçari ka tërhequr vëmendjen e klubeve të njohura falë paraqitjeve të tij të shkëlqyera me Atletiko Madrid, por ai bën të qartë se Çelsi nuk ka ndërmend ta shesë, pavarësisht interesimit të Real Madrid e Barcelonës.
“Çeh është një nga portierët më të mirë në botë ndërsa unë jam një talent i të ardhmes me cilësi që mund të vlejnë për Çelsin. Besoj se ata do të vazhdojnë të mbajnë Çeh edhe për dy vite të tjera”.
“Mendoj se problemi është që Çelsi nuk e mendonte se do të arrija kaq shpejt në këtë nivel. Unë arrita të përmirësohesha shumë shpejt dhe kjo është një situatë mjaft e mirë për Çelsin”, tregoi portieri belg.
Sipas tij, edhe zërat se ai mund të qëndronte te Atletiko Madrid si pjesë e ofertës së londinezëve për blerjen e Falkao, janë thjesht spekulime.
“Shumë gjëra që shkruhen në shtyp janë të pakuptimta, janë spekulime. Të gjithë e dinë që Çelsi do Falkaon por klubi më tha që gjëja e fundit që duan të bëjnë është të më shesin. Jo rastësisht, ata më kanë treguar se kanë një plan pesëvjeçar për mua, një nga arsyet pse më huazuan menjëherë sapo më blenë. Unë te Çelsi kam zhvilluar vetëm testet mjekësore, pasi kam udhëtuar menjëherë drejt Madridit”, zbuloi portieri i ri, i cili që tani vlerësohet rreth 10 milion euro. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 20 February 2013 09:38