Arjen Roben ka bërë të qartë se ka ende dyshime mbi faktin pse ai nuk është më titullar, duke vënë në diskutim zgjedhjet e trajnerit të Bajern Mynih, Jup Heinkes.
Ky i fundit ka zgjedhur që në ndeshjet e fundit të aktivizojë treshen e mesfushorëve ofensivë Riberi-Kros-Myler, duke bërë që Roben të përfundonte rregullisht në pankinë, për të rritur pakënaqësinë e holandezit. Kjo situatë pritet të përsëritet edhe në ndeshjen e Ligës së Kampioneve ndaj Arsenalit në mesjavë.
“Jam në stol, është shumë zhgënjyese. Nuk kam se si të them se jam i kënaqur”, tha holandezi pas fitores 2-0 me Volfsburgun ku ai u aktivizua si zëvendësues dhe shënoi golin e dytë për skuadrën e tij. “Por kur hyj në fushën e lojës, unë jap gjithçka për skuadrën”.
“Ndeshja me Arsenalin është një përballje gjigande, nuk shoh asnjë arsye pse nuk duhet të luaj”, tha ai.
Por deklaratat e Roben nuk e shqetësojnë aspak Heinkes, i cili ka bërë të qartë se do të vazhdojë të respektojë mendimet e tij pa u influencuar.
“Është normale për lojtarët që të zhgënjehen kur nuk luajnë. Arjen është një person që e tregon një gjë të tillë. Por mua nuk më shqetëson aspak”, deklaroi trajneri që do t’i japë lamtumirën bavarezëve në fund të këtij sezoni për t’i lënë vendin Pep Guardiolës. (LajmeShqip.com)
Monday, 18 February 2013 09:57