Shefi ekzekutiv i Bajern Mynih, Karl Hainz Rumenige, ka deklaruar se kjo skuadër nuk po planifikon që të kërkojë shërbimet e Robert Levandovskit, sulmuesit të Borusia Dortmund. Kontrata e 24 vjeçarit polak me kampionët në fuqi të Gjermanisë përfundon në vitin 2014 dhe ai nuk ka firmosur rinovimin e kontratës së tij me klubin ekzistues, duke bërë që të lindin spekulime për të ardhmen e tij.
“Jam shumë i qetë përsa i përket zërave rreth Levandovskit”, tha Rumenige për “Bild”. “Bajern nuk po planifikon që të nisë negociatat me Borusia Dortmund rreth transferimit të Levandovskit”.
Pas kësaj deklarate, ka reaguar edhe presidenti i Borusia Dortmund, Hans Joakim Vatzke, i cili është shprehur i kënaqur me këtë qëndrim të bavarezëve.
“Kjo është e shkëlqyer. Edhe ne nuk duam që të marrim ndonjë ofertë nga Bajerni”, tha ai, duke aluduar se do të preferonte të mbante sulmuesin polak në radhët e ekipit të tij. (LajmeShqip.com)
Monday, 18 February 2013 09:49