Trajneri i Interit, Andrea Stramaçioni, ka gjetur alibinë për dështimin e radhës së Interit, që ka zhgënjyer përsëri kampionat pas humbjes 4-1 ndaj Fiorentinës duke humbur një shans të mirë për t’ia afruar kreut. Sipas teknikut të zikaltërve, faji i kësaj rënie të menjëhershme të ekipit është pjesëmarrja në Europa League, e cila sipas tij po lodh mbi normalen skuadrën që drejton.
“Nuk mund ta imagjinoja që do të kishim një kundërpërgjigje të tillë nga ana fizike. Po paguajmë një çmim të rëndë për pjesëmarrjen në Europa League. Ky Inter ishte shumë i shëmtuar, por mendoj se në këtë kampionat mund të pranohet një humbje e tillë. Më kujtohet që edhe Milani humbi 4-2 ndaj Romës dhe pastaj e mori veten. Kemi një gjendje lodhje, por gjithsesi do të mundohemi që të arrijmë çdo objektiv që i kemi vënë vetes. Po nderojmë Europa League me pjesëmarrjen tonë, por ndoshta po humbim shumë energji në fushë në atë turne”, tha Stramaçioni, i cili nuk ngurron të theksojë se pjesë e fajit për këtë humbje vazhdon të jetë trajtimi që i bëhet Interit nga gjyqtarët.
“Episodet ndryshojnë fatin e ndeshjeve. Fiorentina ka merita të mëdha por nëse gjyqtari do të vërshëllente për prekjen e topit me dorë nga Pizarro dhe e nxirrte nga fusha e lojës, ata mbeteshin me 10 lojtarë dhe ne nuk pësonim golin e tretë. Kjo situatë me gjyqtarët përsëritet prej 6 muajsh”, tha ai. (LajmeShqip.com)
Monday, 18 February 2013 09:47