Afrimi i menjëhershëm i shumë yjeve në radhët e një skuadre, shpesh krijon probleme brenda grupit të lojtarëve, rreth administrimit të kohës që secili prej tyre kalon në fushën e lojës. Këtë duket se kanë filluar ta kuptojnë te PSZH, ku gjithnjë e më shumë po dalin në pah probleme me disa lojtarë që kanë dalë nga lista e të preferuarve të trajnerit Ançeloti.
Problemi i radhës ka qenë ai i Zheremi Menez, i cili nuk është i lumtur me mënyrën se si ka kaluar në plan të dytë në radhët e skuadrës parisiene dhe ka polemizuar me trajnerin Ançeloti që e aktivizoi vetëm në 15 minutat e fundit të sfidës kundër Valencias. Si kundërpërgjigje, trajneri e ka lënë jashtë grumbullimit për ndeshjen e sotme kundër Sosho, edhe pse zyrtarisht është për shkak të një dëmtimi.
“Menez kishte një problem në pulpë të mërkurën. Sjellja e tij në Valencia nuk ka qenë ndër më të mirat e mundshme, por kërkoi falje dhe për mua gjithçka mbaroi aty. Pastaj, nëse nuk është i lumtur, mund t’i kërkojë klubit ta nxjerrë në shitje”, ishte komenti i prerë i Ançelotit.
Por polemika me Menez nuk është e vetmja që shqetëson te parisienët, ku duket se drejtuesit e klubit po bëhen gati të largojnë edhe drejtorin sportiv, Leonardo. Ky i fundit ka kryer detyrën për të cilën ishte punësuar, atë të afrimit të lojtarëve të njohur në arenën ndërkombëtare. Tani që PSZH ka krijuar emër, janë drejtuesit e QSI, kompanisë nga Katari që ka në pronësi klubin, që duan të jenë vetë që të drejtojnë në të ardhmen çdo çështje që ka lidhje me transferimin e lojtarëve, duke larguar brazilianin. (LajmeShqip.com)
Sunday, 17 February 2013 13:07