Ashtu siç ishte parashikuar nga shumëkush, prania e Juventusit në Ligën e Kampioneve po penalizon disi këtë skuadër në Serinë A, pasi bardhezinjtë janë shfaqur shumë të lodhur ndaj Romës, në kundërshtim të plotë me formën e shkëlqyer që shfaqën në mesjavë ndaj Sëlltik.
Trajneri Antonio Konte ka pranuar se kalendari i ngjeshur, me shumë ndeshje, po penalizon disi skuadrën e tij që nuk ka forcën të përballet me kaq shumë aktivitete njëkohësisht.
“Nuk më ka pëlqyer fakti që kemi luajtur 3 ndeshje në 7 ditë. Mund të paguanim disi lodhjen në ndeshjen e tretë dhe një ditë më shumë do të na kishte shërbyer për të pushuar. Ky është justifikimi i vetëm që mund të gjej për ekipin. Por këtë radhë nuk luajtëm as si skuadër dhe kur nuk luajmë ashtu, mund të na mundë kushdo”, ishin fjalët e trajnerit të Juventusit.
“Më vjen keq që nuk kishim një ditë pushim më shumë. Ndjehet keqardhje pasi me një ditë pushim më shumë mund të shkonte më mirë. Duhet më shumë respekt ndaj një skuadre që po mban lart emrin e Italisë edhe në Evropë. Napoli? Ne kemi luajtur 3 ndeshje në 7 ditë, po ata sa kanë luajtur?”, ishte polemika e Kontes që la të kuptohej se aktualisht po favorizohej kundërshtari i Juventusit nëpërmjet kalendarit. (LajmeShqip.com)
Sunday, 17 February 2013 11:33