Xhon Terri dhe Rafael Benitez janë bërë protagonistë të një zënke të pabesueshme në dhomat e zhveshjes që praktikisht ka mbyllur çdo lloj komunikimi mes tyre. Sipas gazetës “The Sun”, ngjarja ka ndodhur pas humbjes 3-2 me Njukasëllin gjatë këtij muaji, ku trajneri ka fajësuar para lojtarëve të tjerë vetëm mbrojtësin për këtë disfatë.
“Benitez fajësoi Terrin për dy nga golat e pësuar. Ai e fajësoi, se la t’i ikte Gutierrez te goli i parë i Njukasëll dhe që u hodh kot pa arritur të prekë topin gjatë aksionit të golit të dytë”, ka treguar një burim brenda klubit për gazetën angleze rreth mënyrës se si nisi kjo përplasje.
Benitez e bëri këtë akuzë para të gjithë lojtarëve të tjerë dhe mbrojtësi i londinezëve iu kundërpërgjigj, sipas të njëjtit burim.
“Trajneri ishte shumë i inatosur se humbi ndeshjen në minutën e fundit dhe bëri të qartë se nuk ishte i kënaqur me paraqitjen e Xhon. Ai gjithashtu bëri të qartë se mendonte që Xhon nuk ishte në formë për të luajtur pas 3 muajve jashtë fushës”.
“Por edhe Terri nuk ishte i lumtur me mënyrën se si u kritikua dhe kundërshtoi trajnerin në sy të të gjithë lojtarëve të tjerë në dhomat e zhveshjes. Por të gjithë ishin shumë të çuditur nga mënyra sesi trajneri nxori fajtor vetëm mbrojtësin dhe si e trajtoi atë, pasi një gjë e tillë nuk kishte ndodhur më parë te Çelsi”.
Jo rastësisht, Benitez vetëm dy ditë më parë deklaroi se Xhon Terri nuk e kishte më vendin e sigurt në formacionin e skuadrës londineze. (LajmeShqip.com)
Sunday, 17 February 2013 11:28