Pep Guardiola ka ringjallur rivalitetin e tij me Real Madrid, por këtë radhë në merkato, pasi po mundohet të marrë në radhët e Bajern Mynih yllin e Totenhem, Garet Beil. Futbollisti uellsian është kthyer në qendrën e dëshirës së merkatos së klubeve më të mëdha evropiane, por çdo klub është paralajmëruar se lojtari kushton relativisht shumë, rreth 50 milion paund.
Një vit më parë, Totenhemi refuzoi ofertat prej 40 milion eurosh të Barcelonës e Realit. Kjo shifër, e cilësuar e ekzagjeruar në atë periudhë, tashmë duket mëse normale duke pasur parasysh se futbollisti që është transformuar nga një mbrojtës i majtë në një mesfushor ofensiv, ka shënuar 21 gola në 36 ndeshje në këtë sezon. Kjo ka bërë që Totenhem të çojë çmimin e tij në shifrën e 50 milion paund.
Nëse Real Madrid nuk di ende se ku të sigurojë paratë për të blerë lojtarin, pasi i duhet më parë të shesë një ose dy nga yjet e vet për të siguruar këtë shifër, Bajerni ka buxhet të mjaftueshëm për të realizuar këtë blerje.
Sipas mediave angleze, përfaqësues të klubit bavarez kanë ndjekur lojtarin në ndeshjet e fundit, për të qenë të bindur plotësisht se investimi i kërkuar nga Guardiola do t’i lejojë të bëjnë një tjetër hap para në planifikimin afatgjatë për t’u kthyer në klubin më të fortë evropian.
Në një situatë të tillë, edhe Florentino Perez është vënë në lëvizje dhe po mundohet të sigurojë personalisht të ardhura për të blerë futbollistin, duke e kthyer atë në një premtim elektoral për fushatën e kësaj vere, kur do të tentojë të rizgjidhet president i madrilenëve. (LajmeShqip.com)
Saturday, 16 February 2013 14:34