Serena Uilliams është kthyer në tenisten më të vjetër që arrin të ngjitet në vendin e parë në renditjen botërore, pozicion të cilin e siguroi pas fitores në 3 sete kundër Petra Kvitova në çerekfinalet e Katar Open në Doha.
Ky sukses do të thotë se 31 vjeçarja amerikane do të kalojë limitin e mëparshëm që mbahej nga Kris Evert, e cila ishte 30 vjeç e 11 muaj kur mbajti vendin e parë në renditjen botërore në vitin 1985.
Serena Uilliams kthehet në majën e klasifikimit botëror pas 2 vitesh e gjysmë, pasi humbi kreun përballë Karolinë Vozniacki në tetorin e viti 2010. Ky është një kthim i jashtëzakonshëm për sportisten e cila qëndroi një vit jashtë fushave të tenisit për shkak të një sëmundje që i rrezikoi jetën dhe kur u kthye përsëri në fushat e lojës, e pa veten në pozicionin e 175-të në renditjen botërore.
Ndonëse përflitej se ajo po bëhej gati të tërhiqej, Serena Uilliams vërtetoi se është në formë të shkëlqyer duke fituar në Uimbëlldon, US Open dhe dy medalje të arta në Lojërat Olimpike.
Kundërshtarja e saj e radhës në gjysmëfinalet e turneut do të jete rusja Maria Sharapova, ndërsa në gjysmëfinalen tjetër, përballë do të vihen ish-numri 1 në botë, Viktoria Azarenka, dhe numri 4 në botë, polakja Agniezka Radvanska. (LajmeShqip.com)
Saturday, 16 February 2013 10:43