Valter Mazarri do të jetë trajneri i ardhshëm i Romës, duke filluar që në sezonin tjetër. Lajmi është publikuar nga faqja tuttomercatoweb.com, ku vetë drejtori i saj, Mikele Krishitelo, ka insistuar se ka informacion nga burime shumë të sigurta për konfirmimin e këtij zëri të bujshëm të merkatos.
“Roma ka pikëtuar trajnerin e Napolit, Valter Mazarri, ndonëse do të dalin menjëherë përgënjeshtrime të kësaj deklarate që po bëj. Franko Baldini e ka kontaktuar në mënyrë indirekte”, tha Krishitelo.
“De Laurentis ka bërë hapa para për t’i rinovuar kontratën, por në këto momente nuk ekzistojnë kushtet e duhura për të ecur para, siç e ka lënë të kuptohet vetë trajneri shumë shpesh. Për Romen ekziston edhe hipoteza e Alegrit, por lëvizja e Mazarrit i ka hapur rrugë një ndryshimi shumë të madh në pankinat e Serisë A”.
“Kryeqytetasit janë në pritje të Mazarrit për sezonin e ardhshëm dhe kjo është arsyeja pse zgjodhën Andrea Andreacolin si trajner të përkohshëm, e jo një teknik që do të pretendonte të paktën një kontratë 18 mujore”, shpjegoi drejtori i tuttomercatoweb.com. (LajmeShqip.com)
Friday, 15 February 2013 17:50