Masimiliano Alegri është kënaqur me sjelljen e Mario Balotelit deri në këto momente, pasi nuk i ka krijuar asnjë shqetësim përsa i përket anës sportive, edhe pse jashtë fushës së lojës vazhdon të jetë një personazh problematik.
“Për sa më takon mua, jam shumë i kënaqur me mënyrën se si stërvitet, nga intensiteti i tij në fushë dhe me përpikmëria me të cilën vjen në fushën e stërvitjes. Mua nuk po më shkakton probleme. Mario është një djalë i zgjuar, por ajo që e kam këshilluar unë është të jetë edhe më i shkathët për administrimin e jetës private. Ai ka potencialin për t’u bërë një lojtar i klasit botëror”, tha trajneri rreth futbollistit, i cili në dy ndeshjet ku është aktivizuar, me tre golat e tij i ka dhënë 4 pikë skuadrës.
Trajneri ka diskutuar edhe përshtatjen e Balotelit me El Sharauin, pasi është dukur sikur ky i fundit është lënë në harresë pas mbërritjes në Itali të ish-lojtarit të Mançester Sitit.
“Mario është një sulmues qendre, Stefan është më tepër një lojtar krahu. Rënia është normale, pasi nuk mund të mbante përgjithmonë mesataren e realizimit që po shfaqte. Të mos harrojmë që është vetëm 20 vjeç. Mendoj se mund të luajnë bashkë. Në krahasim me Ibrahimoviç, Baloteli është më shumë një qendërsulmues”.
“El Sharaui nuk do të luajë pasi ka një inflamacion në tendin dhe preferojmë ta mbajmë pushim për Ligën e Kampioneve. Përpara do të luajë Baloteli me Niang në krahun e djathtë, ndërsa majtas nuk kam vendosur se kush do të luajë mes Robinjo dhe Bojan”, shpjegoi trajneri i Milanit që gjithsesi ka në dispozicion një numër të konsiderueshëm sulmuesish cilësorë. (LajmeShqip.com)
Thursday, 14 February 2013 18:45