LeBron Xhejms ka shkruar mbrëmë përsëri emrin e tij në librin e rekordeve të NBA, duke u bërë lojtari i vetëm në historinë e saj që shënon 30 a më shumë pikë me saktësi 60% në gjuajtje për 6 ndeshje radhazi.
Ylli i Majemit regjistroi 30 pikë, 6 topa në tabelë e 9 pasime në fitoren 117-104 ndaj Portland, ku një kontribut të madh dhanë edhe Kris Bosh (32 pikë, 11 topa në tabelë) e Duejn Uejd (24 pikë, 9 topa në tabelë e 7 pasime). Nga radhët e Portland ra në sy loja e shkëlqyer e të riut Damian Lilard që shënoi 33 pikë, duke hedhur kandidaturën e tij për t’u shpallur “Debutuesi i Vitit” në këtë sezon.
Në rezultatet e tjera bie në sy humbja e Oklahomas në fushën e Utah me rezultatin 109-94, ku nënkampionët e NBA nuk shfaqën agresivitetin e zakonshëm dhe u dominuan nga kundërshtarët, duke shfaqur edhe shenja nervozizmi të theksuar në fundin e ndeshjes. Ndonëse Kevin Durant shënoi 33 pikë, 6 topa në tabelë e 5 pasime, ai nuk mundi të bënte asgjë ndaj lojës ekipore të Utah, ku vendimtarë ishin lojtarët e stolit që realizuan 49 pikë. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Denver-Toronto 108-109
Portland-Majemi 104-117
Sakramento-Memfis 101-108
Oklahoma-Utah 94-109
Feniks-LA Leikërs 85-91
Hjuston-Golden Steit 116-107
Wednesday, 13 February 2013 09:52