Kristiano Ronaldo është kthyer të shtunën në golashënuesin e gjashtë më të mirë të historisë së Real Madrid, duke shënuar golin e tij të 183-të me fanellën e kësaj skuadre, për të kaluar legjendarin Gento.
“Jam shumë i lumtur që po arrij këto shifra”, tha vetë futbollisti për faqen e internetit të klubit. Ajo që dëshiroj është të vazhdoj në këtë rrugë dhe të synoj të bëhem i pari”.
“Është një nder të bëhesh pjesë e këtyre golashënuesve legjendarë dhe të hyj mes më të mirëve në historinë e klubit brenda kohës së shkurtër që kam kaluar këtu. Të shoh që emri im vihet përkrah atyre lojtarëve të shkëlqyer është motiv krenarie dhe gëzimi”, komentoi portugezi që në ndeshjen kundër Seviljes gjeti tre herë rrugën e rrjetës. “E kam thënë gjithmonë që rekordet janë bërë për t’u thyer, jo vetëm për mua, por edhe për gjeneratat që do të vijnë”.
Vetë disa nga legjendat e klubit spanjoll kanë komentuar momentin që po kalon portugezi, një makinë e mirëfilltë golash që në momentin kur ka veshur fanellën e kësaj skuadre.
“Është një kënaqësi të shohësh Kristiano Ronaldon. Ai është i papërsëritshëm. Do të më kishte pëlqyer shumë të luaja me të”, ishin fjalët e vetë Gento.
“Jemi krenar që Kristiano Ronaldo luan në radhët e Real Madrid. Ai është një futbollist i jashtëzakonshëm dhe shpresoj të qëndrojë shumë vite këtu pasi është thelbësor për ne”, komentoi Emilio Butragenjo, që është njëkohësisht edhe drejtor i marrëdhënieve ndërinstitucionale të këtij klubi.
Ndërsa një tjetër golashënues i famshëm i Realit, Amaro Amancio, mendon se portugezi po shkon drejt statusit të legjendës në klub.
“Ai është një futbollist i fortë, me një forcë të jashtëzakonshme. Me ritmin që po mban, do të thyejë të gjithë rekordet dhe ka mundësi që të kalojë edhe Alfredo Di Stefanon”. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 12 February 2013 14:19