Mesfushori i Çelsit, Frenk Lampard, mendon se forma e tij e mirë në këtë periudhë, varet shumë nga fakti se ai po arrin të luajë dy ndeshje në javë. Ndonëse 34 vjeçar dhe me një të ardhme të pasigurt në klub, mesfushori anglez ka kaluar një formë të jashtëzakonshme në javët e fundit, përfshirë 4 gola në 4 ndeshjet e fundit të luajtura.
Me golin e shënuar kundër Uigan në fundjavë, ai arriti të çonte në 198 numrin e golave të shënuar me Çelsin, duke qenë vetëm 4 gola larg rekordit që mbahet nga Bobi Tambling.
“Nuk është ndonjë shkencë e madhe. Sa më shumë luan, aq më i mprehtë dhe në formë për të luajtur je”, tha vetë futbollisti për televizionin e klubit londinez.
“Që nga momenti kur kam qenë në gjendje të luaj rregullisht, ndjej se kam arritur të gjej mprehtësinë dhe besimin e duhur. Jam 34 vjeç dhe të duhet besim që të luash ndeshje me rregullsi. Kjo ndihmon çdo lojtar, jo vetëm mua, pyetni këdo”.
“Kuptohet që është një sezon i gjatë dhe nuk pretendoj dhe as kërkoj që të luaj çdo ndeshje. Por më duket se kohët e fundit kam qenë në gjendje të luaj çdo 3-4 ditë dhe jam kënaqur që kam mundur ta bëj një gjë të tillë”, tha futbollisti anglez. (LajmeShqip.com)
Monday, 11 February 2013 17:02