Andrea Stramaçioni më në fund mund të shprehet i kënaqur me atë që ka parë në fushën e lojës nga Interi i tij pas fitores kundër Kievos, që i dha një shans tjetër zikaltërve për të luftuar për renditjen mes 3 ekipeve të para në kampionat.
“Si gjë pozitive unë kam parë sinjalin e një grupi që e ndjen veten skuadër, një grup që nuk ka vdekur. Kemi treguar gjithë inatin e mbledhur që pas ndeshjes së fundit dhe u pa një paraqitje e mirë. Sinjali që dëshiroja ishte shpirti i skuadrës dhe këtë e pashë në fushë. Kemi luajtur si Interi”, ishte komenti i tij pas kësaj sfide.
Ndërkohë, presidenti i zikaltërve, Masimo Morati, është ankuar përsëri për trajtimin që sipas tij i është bërë Interit nga gjyqtarët që e kanë penalizuar në ndeshjet e kaluara.
“Në disa ndeshje mund të ishim dëmtuar më pak nga gjyqtarët dhe ishte momenti kur mendonim se mund të jepnim më shumë. Pastaj kemi bërë edhe vetë disa gabime dhe të dielën e kaluar nuk zhvilluam një ndeshje të mirë”, ishte autokritika e Moratit për skuadrën e tij. (LajmeShqip.com)
Monday, 11 February 2013 09:26