Trajneri i Mançester Junajtid, Aleks Ferguson, ka pranuar se ndërroi formacionin e skuadrës së tij për ndeshjen kundër Everton pasi pa Mançester Sitin të mundej në takimin të shtunës përballë Sauthempton. “Djajtë e kuq” fituan 2-0 dhe çuan në 12 pikë diferencën me rivalët më të afër në luftën për titull, ndërsa fillimisht skocezi kishte menduar që të linte pushim disa futbollistë titullarë për shkak të ndeshjes kundër Real Madrid në mesjavë.
“E ndërrova skuadrën pasi pashë rezultatin e Sitit. Mendova se kjo mund të jetë një ndeshje më e rëndësishme sot, pasi mund të na japë një kryesim të rëndësishëm dhe mund të bëjmë zëvendësime më vonë. E dinim që po të fitonim këtë sfidë, do të ishim në një pozicion fantastik”, tha trajneri skocez.
“Ne na duhet të fitojmë ndeshjet tona, nuk ka rëndësi se çfarë ndodh me Mançester Sitin. E kam thënë gjithmonë se për sa kohë që përqendrohemi në ndeshjet tona, gjithçka do të jetë në rregull”.
Ferguson ka pranuar se ka pasur një bisedë para ndeshjes me mikun e tij, Zhoze Murinjo, i cili kishte ardhur për të ndjekur takimin Mançester Junajtid, rival i Real Madrid në Ligën e Kampioneve.
“Pata një bisedë me të para ndeshjes. Ai siguroi një rezultat të shkëlqyer një ditë më parë me Realin. Mendoj se do të jetë një ndeshje fantastike të mërkurën. Thjesht shpresoj që të arrij të hedh në fushë skuadrën që unë dëshiroj”, tha ai duke iu referuar problemeve me dëmtimet e mbrojtësve Evans dhe Xhouns. (LajmeShqip.com)
Monday, 11 February 2013 09:07