Klubi i famshëm brazilian i Flamengos kërkon Alesandro Del Pieron. Lajmi i bujshëm vjen nga faqet e gazetës torineze “Tuttosport”, sipas të cilës ekziston një negociatë mes këtij klubi dhe futbollistit që aktualisht gjendet në Australi, për kalimin në Brazil në fund të këtij sezoni.
Gazeta italiane pretendon se kontaktet mes klubit dhe vëllait të futbollistit, që është njëkohësisht edhe menaxher i tij, Stefano Del Piero, kanë filluar që gjatë verës, pas largimit të Ronaldinjos nga radhët e këtij klubi. Brazilianët kërkonin një tjetër numër 10 me famë botërore, por marrëveshja nuk u realizua për çështje logjistike dhe të marketingut, pasi nuk u arritën të gjendeshin sponsorët që do të realizonin transferimin në Brazil të ish-kapitenit të Juventusit, i cili do të kthehej njëkohësisht edhe në një nga ambasadorët për Botërorin 2014.
Tani Stefano Del Piero është nisur përsëri drejt Brazilit për të diskutuar me drejtuesit e klubit më të famshëm në këtë vend dhe për të parë nëse situata ka ndryshuar, pas vetë ftesës që i është bërë nga trajneri Ziko dhe presidentja Patricia Amorim. Megjithatë, ka mbetur pa u zgjidhur çështja e kontratës ekzistuese me klubin e Sidneit, të cilën vetë futbollisti ka deklaruar se dëshiron ta respektojë, pavarësisht vështirësive me të cilat është ndeshur në muajt e tij të parë në Australi. (LajmeShqip.com)
Saturday, 09 February 2013 18:08