Juventus-Fiorentina është një përballje mjaft e veçantë mes dy klubesh që urrehen mes tyre dhe e kanë treguar këtë gjatë viteve. Ndaj ndeshja e sotme nuk kishte si të shmangej nga polemikat, të cilat janë shkaktuar këtë radhë nga klubi bardhezi.
Juventusi ka publikuar në faqen e vet zyrtare të internetit një video promocionale për ndeshjen, duke lëshuar një paralajmërim për skuadrën e Firences. “Ju pret ferri”, është fraza që nuk duket si një mirëseardhje për takimin që luhet në Torino dhe që ka sjellë reagimin e presidentit të “vjollcëve”, Dela Vale.
“Një video në faqen e Juventusit ku thuhet se Fiorentina është tani në purgator dhe në “Juventus Stadium” do të shohë veten në ferr? Unë mbetem pa fjalë. A jeni të sigurt se e kanë bërë në stilin Anjeli?”, ishte ironia e presidentit të Fiorentinës duke iu referuar ish-presidentit të famshëm të ekipit torinez që kërkonte gjithmonë sjellje aristokrate nga skuadra e tij.
Ndonëse trajneri i bardhezinjve, Antonio Konte, është munduar që të minimizojë gjithçka, fjalët në këtë video lënë shumë pak vend për dyshim mbi qëllimin e vërtetë të publikimit të saj, pas debateve mes klubeve të rihapura në këtë sezon edhe për çështjen Berbatov.
“Fiorentina vjen pas fitores ndaj Parmës, është e kotë të themi se janë në formë dhe me ne janë gjithmonë të motivuar. Kanë filluar kampionatin në parajsë, janë në zonën purgator, 13 pikë larg nesh. Për ta, të shtunën “Juventus Stadium” do të jetë një ferr. Lini çdo shpresë jashtë ju që hyni aty”, është fraza “mikpritëse” e bardhezinjve për ekipin kundërshtar. (LajmeShqip.com)
Saturday, 09 February 2013 10:08